Parathënie

Çfarë është Frimasoneria? Me gjasa ju keni lexuar diçka mbi Frimasonerinë, ndoshta keni dëgjuar për të, apo ndoshta ju kanë rënë në vesh në formë thashethemesh informacione mbi këtë Lidhje. Do t’ju lutesha që për momentin të lini mënjanë e të harroni paragjykimet që mund të keni – dhe të bëheni të vëmendshëm për atë që shkruaj ndër rradhët e mëposhtme.
Frimasoneria nuk është as fe dhe as kishë, as lloj sekti, as parti politike, as shoqëri konspirative. Frimasoneria përbën një bashkësi burrash me emër dhe me reputacion të mirë.
Me siguri që do më pyesni se cili është piksynimi apo qëllimi i saj? Po ju a tregoj… Qëllimi i Frimasonerisë është që të edukojë burra, të lartësuar nga ndjenjat e humanizmit dhe të tolerancës. Dhe për t’ia arritur kësaj, Frimasoneria nuk ka as program, as urdhëresa dhe as mësime fetare.
Në librin që keni në duar (fillimisht botuar në gjuhën gjermane) jam munduar të shpjegoj paraqitjen e jashtme, si edhe disa nuanca historike të Frimasonerisë.
Frimasoneria është njimend’ shumë globale dhe përmbledh në boshtin e saj afro 50.000 Lozha nga të gjitha anët e botës. E megjithatë, në shumë vende diktatoriale të planetit (të cilat nuk lënë hapësira për të njerëzishmem dhe tolerancën) Frimasoneria nuk ekziston… Pikërisht aty ku ajo është e domosdoshme, madje sa më parë!
Frimasoni përpiqet ta jetojë jetën në mënyrë aktive dhe me ndjenjën e humanizmit në shpirt – dhe i çmon anëtarët e gjithë Lozhave kudo nëpër botë si Miqtë dhe Vëllezërit e tij. Njëkohësisht ai do të trajtohet dhe pranohet si Mik dhe Vëlla nga të gjithë Frimasonët e botës.
Për t’ju krijuar mundësinë që të shquani dhe vlerësoni efektshmërinë dhe brendësinë e një Lozhe (pa bërë tradhëti ndaj të fshehtave të saj) po u tregoj se çfarë kam mësuar në të:
Kam mësuar të dëgjoj…
Kam mësuar të dëgjoj dhe atëherë kur (shpesh) të tjerët kanë pasur opinione dhe mendime që kanë qenë në kundërshtim me opinionet e mia…
Vazhdimisht të përpiqem të shikoj thellë vet’vetes çfarë paragjykimesh më kanë mbetur ende…
Të mundohem që, si në rrethin familjar, ashtu edhe në atë të punës, problemet që dalin t’i zgjidh në mënyrë sa më të njerëzishme…
Të jem kundër dhunës…
Dhe veç gjithë këtyre, tek Frimasoneria kam gjetur një numër të pafundëm shokësh prej të cilëve kam mësuar shumë. Në këto rrethe miqsh argumentohet, pa u njohur grindja me njëri-tjetrin. Në Vëllazëri kam gjetur një hapësirë të lirisë, të njerëzores dhe të paqes.
Por le t’i kthehemi edhe një herë titullit të kësaj parathëniejeje të shkurtër… Çfarë është Frimasoneria?
Duke shpresuar që tashmë t’i jem përgjigjur kësaj pyetjeje, dëshiroj të jem sa më i qartë: Frimasoneria e konsideron të gjithë njerëzimin si një familje të vetme!
Shkrimtari prej kombit gjerman, Gothold Efraim Lesing, në dialogun e tij “Ernst & Falk” thotë:
“Po të mos ekzistonte,
Frimasoneria,
Do duhej zbuluar patjetër.”

I juaji,
Alexander Giese